De Biazi e ka pisk, ka probleme n do repartTIRANE-Astrit Hafizi e sheh disi gri momentin aktual të kombëta-res shqiptare, e cila pas një jave, do të zhvillojë në Tbilisi të Gjeorgjisë, miqësoren e parë për vitin 2012. Në stolin kuqezi do të bëjë debutimin italiani Xhani De Biazi, ardhja e të cilit ka sjellë jo pak entuziazëm edhe pse gjendja e futbollit shqiptar për momentin është deri diku kritike. Sipas ish-teknikut të njohur të përfaqësueses, kampionati nuk po jep më asgjë për ekipin kombëtar. Sa i përket luftës për titull, Hafizi nuk lë jashtë saj as Flamurtarin e Shkëlqim Muçës, që sipas tij, “është një ekip i organizuar mirë dhe që mund të rivalizojë me skuadrat e kreut”.
De Biazi nis pas një jave aventurën kuqezi, duke zhvilluar miqësoren e parë ndaj Gjeorgjisë dhe me shumë ndryshime në ekip. Si e komenton Hafizi situatën e ekipit kombëtar?
Për mua është një periudhë deri diku normale, që nis me një riorganizim të ekipit kombëtar. Më shumë sesa largimi i Salihit drejt Amerikës, gjë që e bën të vështirë që ai të rikthehet në Shqipëri, them se tekniku italian do të ketë probleme të zëvendësojë ata lojtarë që janë larguar tashmë dhe që ne i dimë të gjithë.
A është e mjaftueshme periudha prej 7 muajsh deri në nisjen e eliminatoreve?
Edhe është edhe nuk është, pasi jemi në një impulse të turbullt, pasi kampionati nuk po jep gjë, ndërsa kombëtarja është në fazë ndryshimi. Kështu ndodh nëse vjen një trajner i ri. Nëse do të ishte trajneri i mëparshëm, ai do t’i dinte shumë më mirë problemet e ekipit dhe do të bënte disa ndërhyrje aty ku duheshin, por tashmë De Biazi ka nevojë për kohë për t’i kuptuar këto. Duhet të shfrytëzojë mjaft mirë ndeshjet miqësore.
Ndërkohë, duket një mësymje e Federatës drejt atyre që luajnë jashtë…
Nuk mund ta stifle diçka të keqe, nëse merren futbollistë që luajnë në ekipet e tyre. Por, nëse shihen ata që rrinë në stol, kjo nuk sjell asgjë dhe më mirë të shohësh në Shqipëri. Megjithatë, megjithatë, De Biazi nuk ka faj në një pikë: që aktualisht, në Shqipëri futbolli ka ngecur dhe nuk prodhon asgjë.
Shqipëria është në një fazë ndryshimesh, por sipas jush, cili është reparti më problematik në kombëtare tani për tani?
Për mendimin tim të treja repartet janë me probleme të mëdha. Si në mbrojtje, në mesfushë apo në sulm, ka shumë punë për të bërë, që të gjenden futbollistë të denjë. Nuk e di sesa do ia dalë trajneri i ri, por shoh një ekip që ka nevojë për shumë ndërhyrje.
Profesor, ju keni qenë për disa vjet drejtues i futbollit të fëmijëve në Federatë, si është sot niveli i tij dhe problematika?
Unë kam disa kohë që jam shkëputur dhe nuk mund të flas me kompetencë, por natyrisht që ka probleme, ka probleme të mëdha, që duhen zgjidhur. Në FSHF ka një sektor për këtë që mund të japë një përgjigje më të saktë, por nga ajo që shohim, duket që ky futboll është në nivele jo të mira.
Pas pak ditësh nis kampionati, çfarë ndryshimesh patë te skuadrat në ndeshjet e para që ato luajtën për 2012?
Pashë shumë pak ndryshime. Për mendimin tim, skuadrat e bëra në qershor dukeshin sërish më mirë, ndërsa tani në janar pashë ndryshime të vogla në emra dhe që nuk viheshin shumë re në lojë. Pastaj, kjo merkatoja e dimrit ka gjithnjë atë dilemën e përshtatjes apo jo të futbollistit në vetëm pak ditë.
Tre skuadrat e kreut tashmë ndahen me 3 pikë nga njëra-tjetra, cilën shihni favorite Teutën, Tiranën apo Skënderbeun?
Në fakt, unë nuk do lija jashtë as Flamurtarin, që nuk është edhe aq larg dhe për më tepër ka bërë disa ndryshime cilësore. Megjithatë, në Shqipëri është pak e vështirë të kuptosh se kush mund të fitojë titullin, duke qenë se të gjithë ekipet kanë probleme të shumta dhe herë pas here tregojnë oshilacione të mëdha e të pamendueshme. Diku problem janë futbollistët, diku është ana financiare, diku problem janë drejtuesit e skuadrave, kështu që shoh që gjithandej ka probleme që ndikojnë në ecurinë direkte të kampionatit.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)