Përfaqësimi i Kosovës nën ombrellën e Rezolutës 1244 do t’i shkaktojë vendit dëme të jashtëzakonshme, nga të cilat “riparimi” do të zgjasë me vjet të tëra, madje do të jetë i pamundur. Kështu mendojnë ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare, njohësit e Kushtetutës dhe analistët politikë, të cilët shprehen të sigurt se implementimi i fusnotës, përkatësisht të Rezolutës 1244 do ta hedhë Kosovën në “fund të pusit”.

Njohësi i të drejtës kushtetuese, Korab Sejdiu, thotë se fusnota nënkupton rikthim mbrapa, që, sipas tij, Kosovën e kthen në një standing neutral (siç e ka njohur Rezoluta 1244) dhe jo me standing të cilin e ka momentalisht, pra shtet i pavarur.

“Fusnota nuk do ta përdorë vetëm Rezolutën 1244, por edhe Deklaratën e Pavarësisë. Deklaratë të pavarësisë kanë bërë edhe shtetet tjera, për shembull Osetia Jugore, e cila e ka shpallur pavarësinë, por përjashtuar Rusinë, askush tjetër nuk ua ka njohur. Pra, përfshirja e deklaratës së pavarësisë në fusnotë nuk e mënjanon dëmin e neutralitetit që nënkupton Rezoluta 1244”, thotë Sejdiu, duke shtuar se heqja e termit Republikë nënkupton shkeljen e Kushtetutës e cila vendin e përcakton si Republikë Demokratike.

Ai thotë se rikthimi me dëshirë i Rezolutës 1244 do të jetë i dëmshëm për vendin edhe për faktin se në të ardhmen edhe shtetet që e kanë njohur Kosovën në takimet ndërkombëtare, palën kosovare do ta thërrasin dhe ajo do të marrë pjesë si përfaqësuese e një vendi që vepron nën këtë rezolutë…/zeri