Propozimi i kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi që Kosova në nismat rajonale të përfaqësohet me fusnotën ku shënohet edhe Rezolutë 12 44, sipas deputetit të LDK-së dhe ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni ka befasuar të gjithë, madje edhe vetë presidentin e Serbisë, Boris Tadiç.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hyseni thotë se kthimi në Rezolutën 12 44 paraqet kthim në çështjen e pazgjidhur të statusit të Kosovës, çka sipas tij, mund të ketë pasoja për Kosovën dhe gjithë rajonin.

“Është absolutisht e papranueshme, absolutisht e dëmshme dhe nuk ka fije dyshimi që në afatgjatë kjo mënyrë e përfaqësimit të Kosovës dërgon mesazhe tepër kundër produktive dhe të dëmshme për Republikën e Kosovës. Unë ju siguroj që një gjenerozitet, një zemërgjerësi të tillë nuk do ta ketë pritur as Tadiqi e edhe më pak miqtë e Kosovës në Parlamentin Evropian dhe institucionet e Bashkimit Evropian”, ka thënë ndër të tjera Hyseni.