Gjakmarrja ua kishte zënë derën tash e shtatë vjet. Por, Hate Hajrizi nga Kotorri i Skenderajt gjeti forcë ta këpusë zinxhirin e së keqes. Ajo ia fali gjakun e të birit familjes Isufi nga Klina e Mesme. Në luftë, kësaj nëne iu vranë edhe tre djem të tjerë.

 

Ka tri javë që Hate Hajrizit nuk i janë tharë sytë.

Nga dita që ajo fali gjakun e djalit të vrarë shtatë vjet më parë, lotët nuk i ndalen.

Por nëna e katër djemve të vrarë, prej të cilëve tre në luftë, nuk qan pse nuk deshi ta falë gjakun e të birit. Madje ajo thotë se vetë e kishte marrë këtë vendim.

Mërzia e saj ka të bëjë me keqardhjen që ndjen për fëmijët që i biri ia ka lënë pas.

Hata, e cila gjatë luftës i ka humbur tre djem, ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, historia e njëjtë iu përsërit edhe në vitin 2005. Madje edhe më tmerrshëm. Asaj në mal iu vra Xhaviti, djali i madh, ndërsa po kryente punën si roje pylli.

Tash pas shtatë vjetësh, kur nëna Hate dhe familja e saj pësoi nga kjo tragjedi, ajo dhe fëmijët e saj vendosën ta falin gjakun e tij.

Në këtë mënyrë, familja Hajrizi ia fali gjakun familjes Isufi nga Klina e Mesme e Skenderajt. Në vitin 2005, ishte Mensuri, djali i madh i familjes Isufi, ai që vrau Xhavitin, rojën e pyllit. Falja e gjakut, sado që është akt i lartë fisnikërie, megjithatë nuk është transport veprim i lehtë të bëhet.

“E fala gjakun e djalit, ndonëse e pata shumë të vështirë”, thotë nënë Hate për Express./express