Po për këtë skandal kush e mban përgjegjësinë?
Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë futi dje në zi një familje shqiptare dhe terrorizoi dhjetëra të tjera me konfuzionin e shpërndarë në media në lidhje me raportimet e një sulmi mbi komandot shqiptarë në Afganistan. Fillimisht nga ministria rrodhi lajmi për sulmin, duke lënë për më shumë se një orë dhjetëra e dhjetëra familje me gjak të ngrirë se kush do ishin viktimat. Më pas një ushtarak doli në konferencë për shtyp dhe bëri të ditur se janë vrarë dy ushtarë. Pasi dha emrat e tyre, në shtëpitë e komandove shpërtheu vaji. Kamerat që shkuan në familjen e Aleksandër Pecit raportuan për diçka interesante. Ndërsa ministria ua kishte bërë të vdekur djalin, ata kishin komunikuar me shokët e tij në Afganistan, që thoshin se është gjallë. Pak më vonë erdhi vetë ministria që u dha lajmin e mirë.
Me dhjetëra në mos qindra media të huaja ndërkohë kishin raportuan për vrasjet, duke iu referuar ministrisë sonë. Edhe ato u detyruan të ndryshojnë raportimin.
Por ajo që të bie në sy është qëndrimi i krerëve të vendit ndaj ngjarjes.
I pari që shprehu ngushëllimet e tij ishte presidenti i Republikës. Në mesazhin e tij drejtuar dy familjeve, presidenti iu drejtohej si Komandant i Forcave të Armatosura.
Më vonë, kur u deklarua se Peci ishte gjallë, kryeministri ofroi një njoftim të gjatë për shtyp, patetik, por të detajuar. Thuhej se kryeministri kishte shkuar menjëherë tek ministria dhe atij i kishte raportuar Xhemal Gjunkshi, Shefi i Shtabit (ai që merr 7 mijë dollarë për ushtar) dhe Arben Imami, Ministër i Mbrojtjes. Sipas njoftimit, i paskan thënë që ka vdekur një ushtar. Pastaj Berisha ka folur në telefon me komandantin e njësisë në Afganistan. E në account kryeministrin e ka marrë në telefon gjenerali i ISAF në Afganistan.
Kurse presidenti, njëkohësisht Komandant i Forcave të Armatosura, reagoi si një qytetar që e merr vesh lajmin nga TV. Kujtoni këtu se si e injoron rregullisht presidentin Arben Imami, që nuk e thërret në ceremoninë e ardhjes së komandove apo nuk i shkon në ceremonitë e dekorimit të komandove.
Natyrisht edhe tani ky skandal do mbetet jetim. Por diçka është e qartë: ne kemi një kryeministër komandant të forcave të armatosura.


