Ndryshimet, dy vjet burg për politikanët që blejnë vota
Në ndryshimet e miratuara dje nga mazhoranca dhe opozita për Kodin Penal, është shtuar edhe një nen interesant, që parashikon dënimin e politikanëve që ofrojnë para për të blerë vota. Sipas ndryshimeve të djeshme, ata do të dënohen nga gjashtë muaj deri në dy vjet burg, nëse vërtetohet se kanë blerë vota.
“Ofrimi ose dhënia e të hollave apo të mirave materiale, bërja e premtimeve për vende pune ose për favorizime të tjera në cilëndo formë, me qëllim që të marrë firmën për paraqitjen e kandidatit, për të votuar pro ose kundër një subjekti zgjedhor ose kandidati apo për të marrë pjesë ose jo në votime, përbën kundravajtje penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në dy vjet”, thuhet në nenin e shtuar në Kodin Penal.
“Në një fushatë elektorale padiskutim bëhen premtime nga të gjitha llojet dhe kjo sigurisht nuk duhet penalizuar. Kur këto premtime bëhen në mënyrë individuale për persona konkretë dhe padyshim kanë qëllimin brenda, kjo padyshim që duhet konsideruar si një lloj imponimi që megjitha këto mënyra që parashikohen këtu i bëhet zgjedhësit”, tha në Komisionin e Ligjeve, deputeti revolutionary Armando Subashi.
Pjesë e këtij ndryshimi ishte dhe burgimi me 5 vjet i personave që falsifikojnë, apo fusin në kutin votimit fletë të paligjshme, me qëllim ndryshimin e rezultatit. Votimi më shumë se një herë, dënohet me burg deri në 3 vjet, ndërsa komisioneri që e lejon, dënohet 5 vjet.


