Gjeneral Qirjazi: Imami e Gjunkshi janë të korruptuar, nuk pranova të zbatoj urdhrat e tyre të paligjshëm
Gjeneral Brigade, Vladimir Qirjazi, i shkarkuar nga detyra para pak kohësh, i ka dërguar një letër Komisionit të Sigurisë Kombëtare duke u kërkuar investigim të plotë të shkarkimit të tij. Qirjazi është i treti gjeneral që i drejtohet Kuvendit pas shkarkimit të tij, duke theksuar se është vepruar në mënyrë të paligjshme. Në letrën e plotë, publikuar nga Panorama, Qirjazi akuzon Ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami dhe Shefin e Shtabit, Xhemal Gjunkshi si të korruptuar dhe si një turp për NATO-n.
“Dëshiroj të bëj me dije se për mua kjo ka qenë një befasi e madhe, pasi jam nxjerrë në rezervë jashtë çdo arsyeje ligjore dhe profesionale. Propozimi i ministrit të Mbrojtjes dhe i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm është dërguar në konspiracion të plotë te Presidenti i Republikës, rast tipik për administrata të shteteve totalitare. Kjo për mua përbën një tjetër rast që tregon se ministri i Mbrojtjes dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm janë të korruptuar politikisht, në bindjen time një fatkeqësi e madhe për një ushtri të NATO-s,” shkruan Qirjazi.
Gjenerali shkon më tej kur thotë se ai është shkarkuar pasi nuk ka pranuar të zbatojë urdhrat e paligjshëm të Imamit dhe të Gjunkshit. Nuk dihet se për çfarë urdhrash bëhet fjalë, por Qirjazi thotë se duhen pasur në vëmendje kabllogramet e Wikileaks.
“Ministri i Mbrojtjes dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm nuk më kanë emëruar në detyrat që më takonin për shkak të karakterit tim të papajtueshëm në zbatimin e urdhrave të paligjshëm (sjell në vëmendjen tuaj radiogramet e Wikileaks).”


