Duket se është dashur tragjedia e Heratit ditën e pardjeshme që të dalin “petët e lakrorit” kur thotë populli. Por sigurisht, pas një superskandali si Uikiliks, ku shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë akuzohej se bënte afera me ushtarët komando në misione, duke u marrë 7 mijë euro, vjen edhe lajmi tjetër i bujshëm. Xhemal Gjunkshin nuk e ka ndalur ky skandal, por ka shkuar më tej. Pasi ka punësuar edhe vëllanë e tij në ushtri, Y. Gjunkshi, pak vite më parë, si për ironi të fatit, e ka nisur po me misionin e fundit “Eagle 4” drejt Afganistanit. Bëhet fjalë për të njëjtin mision ku humbi jetën komandanti i grupit Feti Vogli dhe u plagos nëntetari Aleksandër Peci. Misioni u nis nga Rinasi në Herat më 16 janar me ceremoni të posaçme. Burime të sigurta i thanë AMA se brenda kontigjentit ishte edhe vëllai i shefit të shtabit, vetë të akuzuarit nga SHBA për korrupsion. Nuk dihen ende rrethanat dhe detajet, që pritet të zbardhen në ditët e ardhshme, por duket se skandali bëhet edhe më i madh po të mësosh se vëllai i Gjunkshit në këtë mision nuk kryen aksione si i ndjeri Vogli apo i plagosuri Peçi, por mbahet në bazën e komandës shqiptare për të kryer punë të lehta larg zonës së nxehtë të luftimeve apo misioneve. A është ky një favorizim për Gjunkshin? Këtë përgjigje le ta japë vetë gjenerali, që ka marrë dy yje brenda dy viteve dhe që në vitet 93-94 ka qenë i përjashtuar nga ushtria për akuzën e vjedhjes në magazinat e ushtrisë. Burimet thonë se komandanti i batalionit shqiptar në Afganistan, Behar Mara, është porositur që vëllai i Gjunkshit të mos angazhohet me detyra të vështira. Gjithashtu një tjetër informacion për t’u verifikuar mbetet fakti që në banesën e Gjunkshit qëndrojnë polic ushtarakë që bëjnë roje për sigurinë e shefit të Shtabit, por sipas ushtarakëve kjo është e paligjshme pasi nuk parashikohet dhe nuk i takon një roje e tillë.

Ama News