Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e sotme formulën e privatizimit të disa hidrocentraleve të rëndësishme në exchange duke i nxjerrë ata në shitje në masën 100 përqind të aksioneve. Në formulën e privatizimit të hidrocentralit të Shkopetit dhe të Bistrica 1 dhe 2, gjithashtu shteti nuk jep asnjë garanci për fatin e punonjësve të këtyre shoqërive duke e lënë në dorë të firmës që do i privatizojë strukturimin e punonjësve. Opozita ka kritikuar kohë më parë deklarimin e kryeministrit Berisha se do të privatizonte këto pasuri kombëtare, duke e cilësuar si një veprim që tregon nevojën urgjente për para të qeverisë dhe lë shtigje të hapura për korrupsion.

Në njoftimin e kryeministrisë thuhet se: “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 6, të ligjit nr.10 430, datë 9.6.2011, “Për krijimin e shoqërive “HEC Ulëz-Shkopet” sh.a., “HEC Tiranë Lanabregas”, sh.a., dhe “HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, sh.a., dhe përcaktimin e formës dhe strukturës së formulës së privatizimit të shoqërive “HEC Ulëz-Shkopet”, sh.a., dhe “HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, sh.a.”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave vendosi: Punonjësit e shoqërive “HEC Ulëz-Shkopet”, sh.a., dhe “HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, sh.a., të cilët janë në marrëdhënie pune deri më 31.1.2012, për efekt të privatizimit 100% të aksioneve të zotëruara nga shteti në këto shoqëri, i nënshtrohen procedurave të ristrukturimit nga ana e blerësit strategjik. Ristrukturimi nga ana e blerësit strategjik do të bëhet konform dispozitave ligjore në fuqi të Kodit të Punës, kontratës kolektive dhe kontratave individuale të punës. Detyrimet financiare, që do të lindin në zbatim të pikës 2, të këtij vendimi, do të mbulohen nga blerësi strategjik. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, shoqëria “HEC Ulëz-Shkopet”, sh.a., dhe shoqëria “HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi”.

Ndërsa në një vendim të mëposhtëm i ngarkohet ministrisë së Ekonomisë që një pjesë të parave t’i përdorë për tenderin, ndërsa pjesa tjetër kalon në buxhetin e shtetit. “Mënyra e përdorimit të të ardhurave nga privatizimi i shoqërive “HEC Ulëz-Shkopet”, sh.a., dhe “HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, sh.a., të jetë si më poshtë vijon: Për mbulimin nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës të shpenzimeve për realizimin e procedurave të tenderimit për shitjen e aksioneve të këtyre shoqërive. Pjesa e mbetur të derdhet në buxhetin e shtetit”, thuhet në vendimin e dytë.