Feti Vogli shpallet “Dëshmor i Atdheut”, përmirësohet gjendja e Peçit
Ministria e Mbrojtjes bëri me dije se ka shpallur “Dëshmor i Atdheut” komandon e vrarë gjatë ditës së djeshme në Afganistan, Feti Vogli.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes varrimi i Kapiten Feti Vogli do të bëhet në Varrezat e Dëshmoreve të Kombit ndërsa për detaje të tjera të ceremonisë mortore shtetërore do të ketë komunikime të mëvonshme, pasi të jetë përcaktuar koha e mbërritjes së trupit në atdhe.
Sakaq, Ministria e Mbrojtjes pohoi se gjendja shëndetësore e Aleksandër Peçit vazhdon të përmirësohet pas ndërhyrjes kirurgjikale në spitalin ushtarak në Bazën Ajrore të Kandaharit në Afganistan.
Ministria e Mbrojtjes theksoi se autoritetet ushtarake përgjegjëse të operacionit të ISAF po përmbyllin masat për transportimin e të plagosurit drejt Gjermanisë. Më poshtë, njoftimi i plotë i ministrisë së Mbrojtes dhënë pak minuta më parë:
“Në orën 16:30 të datës 20 shkurt 2012, gjatë një inspektimi në fshatin Robot, grupi i parë i kontigjentit “Eagle 4” ka rënë në zjarrin e furishëm të një efektivi të policisë afgane. Si pasojë kanë mbetur të plagosur tre ushtarakë, dy shqiptarë dhe një i huaj. Ndërsa ushtarët e tjerë kanë arrestuar 11 atentatorët. Menjëherë pas ngjarjes, komanda e NATO-s ka marrë masa për dërgimin e ushtarëve në spital, por komandant Feti Vogli nuk u ka mbijetuar plagëve. Në orën 17:10 është komunikuar vdekja e tij, ndërsa në orën 22:34, sipas orës lokale, ose 19:34 sipas orës tonë, oficerët shqiptarë kanë raportuar se komandoja Aleksandër Peçi i ka mbijetuar me sukses operacionit, duke përgënjeshtruar lajmin e parë se edhe ai kishte vdekur. Rreth orës 23, Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm kanë njoftuar publikun me një komunikatë tjetër, ku njoftohej se gjendja e Peçit ishte përmirësuar. Lidhur me procedurat për ceremoninë e varrimit të kapiten Feti Voglit është ngritur grupi i punës në Ministrinë e Mbrojtjes. Kapiten voglit i është akorduar vlerësim “Dëshmor i Atdheut”, që do t’i jepet gjatë ceremonisë së varrimit në varrezat Dëshmorët e Kombit”.
Në familjen e komandos së vrarë, Feti Vogli, ka qenë sot për vizitë edhe presidenti Bamir Topi, që e ka nderuar atë më Medaljen e Artë të Shqiponjës. Topi ka uruar gjithashtu edhe shërimin e ushtarit tjetër, Aleksandër Peçi.
Në familjen e Voglit ka qenë i pranishëm gjithashtu edhe ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, që ka shprehur ngushëllime tek familjarët e viktimës.


