Shumë rezistove zoti Wulff!
Nga kështjella Bellevue, presidenti gjerman, Christian Wulff shpalli dorëheqjen. Një ditë pasi prokuroria e Hanoverit kishte kërkuar heqjen e imunitetit për ta hetuar për akuzën e korrupsionit. Në fjalimin e tij të shkurtër, presidenti Wulff tha se kishte bërë gabime, por kishte qenë i përkushtuar në detyrën e tij. Ai tha se Gjermania ka nevojë për një boss që ka besimin e shumicës, jo të pakicës. Wulff tha se ai dhe e shoqja janë shumë të lënduar. “Jap dorëheqjen për të hapur rrugën ndaj hetimeve”, tha ai. Kancelaria Merkel anuloi vizitën e saj në Itali për këtë qëllim.
Skandali Wulff shpërtheu në dhjetor të vitit të shkuar. Mediat raportuan se ai kishte marrë një hua prej 500 mijë euro nga gruaja e një biznesmeni kur ai ishte kryeministër i landit Saksonia e Ulët. Parlamenti i këtij landi kishte hetuar për lidhjet e tij me milionerin Egon Geerkens. Por mediat zbuluan se e shoqja e biznesmenit kishte mundësuar një kredi për të blerë shtëpi. Kredia nuk ishte raportuar në deklarimin e pasurisë. Skandali u rabble më shumë kur Wulff telefonoi kryeredaktorin e gazetës Bild duke e kërcënuar për shtyrjen e publikimit të skandalit. Sikur të mos mjaftonte kjo, në dritë nisën të dalin shumë fakte për lidhjet e tij me biznesmenët dhe pushimet luksoze që bënte, i paguar nga këta biznesmenë.
Mediat u bashkuan për të raportuar skandalet e tij, por pati edhe një habi: si ka mundësi që po reziston kaq shumë presidenti. Paraardhësi i tij kishte dhënë dorëheqje pasi kishte bërë një deklaratë në Afganistan, që u interpretua nga mediat si një konfirmim i faktit se fuqitë e mëdha i bëjnë luftërat në botë për interesa ekonomikë.


