Barrikada që digjen, protestues të gjakosur, turma të zemëruara. Gjendja në Afganistan rrezikon të përshkallëzohet. Shkak për këtë është bërë një raportim se libri i shenjtë i Kuranit mund të jetë djegur nga ushtarët amerikanë. Mijëra njerëz kanë vërshuar në rrugë duke djegur flamurin amerikan e duke hedhur slogane ‘Vdekje për Amerikën’. Thashethemet nisën të qarkullojnë se në bazën e Bagramit, në veri të Kabulit, është abuzuar me librin e shenjtë të myslimanëve. Kjo bazë është dhe një nga burgjet më gjigande për talibanët dhe të dyshuarit për terrorizëm. Një demonstrues tha se ai punon në bazë dhe miqtë e tij të turnit të natës i kishin thënë se amerikanët kanë ndërmend të djegin librin e shenjtë të Kuranit. 45 vjeçari Muhamed Nabi thotë se punonjësit afganë kanë penguar amerikanët që të djegin librin. Librat do të digjeshin bashkë me plehrat. Mesa duket librat iu ishin marrë të burgosurve pasi në mes të librit fshiheshin letra me kode komunikimi mes talibanëve. Trupa ushtarake e NATO-s e ka marrë shumë seriozisht situatën dhe ka kërkuar falje menjëherë. Djegia e Kuranit ka provokuar trazira serioze në të kaluarën në mbarë botën. Gjenerali John Allen kërkoi falje dhe tha se asgjë nuk ka qenë e qëllimshme. Ai shtoi se i kërkon falje popullit fisnik të Afganistanit.