Prokuroria kërkon dënim me vdekje për Mubarak, akuza: Urdhëroi të qëllohej mbi protestuesit
Se kur do të jepet vendimi përfundimtar për Hosni Mubarak, kjo ende nuk dihet. Por Prokurori i Shtetit, Mustafa Suleiman ka kërkuar dënim me vdekje për ish- shefin e shtetit. “Mubarak ka autorizuar përdorimin e armëve kundër demonstruesve paqësorë dhe për këtë duhet të marrë dënimin më të madh,” tha Suleiman duke lexuar pretencën.
Edhe për ish- ministrin e Brendshëm, Habib Al Adli dhe katër ish- zyrtarë të lartë të aparatit të sigurisë së Mubarak është kërkuar dënimi me vdekje. “Ky nuk është rasti i vrasjes së një, dy apo 20 civilëve, por rasti i një populli të tërë,” tha prokurori.
Sipas përllogaritjeve të qeverisë, rreth 850 persona kanë vdekur gjatë shtypjes së protestave një vit më parë.
Mubarak e dëgjoi pretencën nga krevati i tij spitalor brenda kafazit. Djali i tij, Gamal, i pëshpëriste gjithmonë në vesh diçka. Djali më i madh, Alaa, mbante në dorë një Kuran dhe bënte ecejake nervoze në kafaz gjatë leximit të pretencës. Të mërkurën pritet që mbrojtja e Mubarak të lexojë konkluzionet e saj. Këtë ditë pritet të vendoset edhe kur do jepet vendimi përfundimtar.


