Makina e diplomatit Izraelit

 

(E PERDITESUAR)- Sulmet ndaj diplomatëve izraelitë, njësoj si atentatet ndaj shkencëtarëve iranianë. Ndërkohë sot një chairman i dyshuar si iranian, u plagos në Bangkok, Tajlandë, pasi po tentonte të hidhte një bombë mbi policinë. Dy sulme të tjera pati në kryeqytetin tajlandez. Dyshime se iranianët po nisin një fushatë terrori nëpër botë

 

Diplomatët izraelitë ishin dje subjekt sulmesh, për të cilat u fajësua Irani. Një bombë e ngjitur në mënyrë magnetike në një makinë në Delhi, Indi, shpërtheu duke plagosur gruan e një diplomati izraelit dhe shoferin e saj. Një tjetër bombë u gjet e ngjitur në një makinë diplomatike në Gjeorgji, por u çaktivizua në kohë.

Lideri izraelit, Benjamin Netanjahu tha se pas incidenteve qëndronte Irani, duke shtuar se i përfshirë mund të jetë edhe Hezbollahu. Kurse Irani reagoi duke thënë se këto janë gënjeshtra absolute.

Në Indi gruaja e një zyrtari izraelit po shkonte të merrte fëmijët në shkollë kur iu afrua një motoçikletë, e cila i ngjiti bombën. Gruaja vijoi të ngasë makinën kur dëgjoi një shpërthim të fortë. Menjëherë gruaja dhe shoferi i saj dolën nga makina.

Por ajo që ka ngritur dyshime është se të tilla atentate janë përdorur kundër shkencëtarëve bërthamorë iranianë, çka bën të dyshohet se kjo është një hakmarrje për këto sulme.

Muajin e shkuar, Mostafa Ahmadi Roshan, drejtor në qendrën e pasurimit të uraniumit në Iran u vra nga një bombë magnetike, e ngjitur në makinën e tij.

Asnjë grupim nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmet. Por kopjimi ekzakt i mënyrës se si u vra Roshan në Teheran, duket pak a shumë një deklaratë në vetvete.

Irani dyshon se Izraeli është përfshirë në një seri atentatesh kundër zyrtarëve dhe shkencëtarëve të Teheranit. Kurse ekspertët mendojnë se Izraeli është duke u përgatitur për një sulm ndaj Iranit në pranverë.

Presidenti i Iranit, Ahmadinexhad bëri të ditur se vendi i tij do bëjë publike disa arritje të rëndësishme në fushën bërthamore.