A ka fuqi flota ajrore izraelite të përballojë një sulm ndaj Iranit?
Një sulm izraelit ndaj objektivave bërthamorë iranianë duket gjithmonë e më i mundshëm. Por ekspertët ushtarakë amerikanë parashikojnë edhe risqet e mundshme. Gazeta ‘New York Times’ ka analizuar skenarët për një sulm të tillë. Përfundimi nuk është aq pozitiv për Izraelin, i cili në rast sulmi do duhej të tejkalonte fuqitë e tij ushtarake. Për këtë arsye do i duhej ndihma e SHBA.
Në të shkuarën Izraeli ka ndërmarrë dy sulme ushtarake ndaj objektivave bërthamorë, por asnjë nuk është i ngjashëm me sulmin mbi Iranin. Sipas ekspertëve, nëse Izraeli vendos për sulm, do i duhen së paku 100 avionë ushtarakë, të cilët duhet të furnizohen në ajër për shkak se pilotët duhet të fluturojnë 1600 kilometra mbi hapësirë ajrore armike. Përveç kësaj, duhet eliminuar mbrojtja ajrore iraniane, që është gjigande. Dhe së fundmi, duhen bombarduar njëkohësisht katër objektiva bërthamorë, që janë të vendosura nën tokë.
Sipas informacioneve, Izraeli mund të zgjedhë rrugën përmbi Jordani e Irak, pasi ku i fundit thuajse nuk ka mbrojtje ajrore. Sërish avionët F15 dhe F16 do duhet të bëjnë një udhëtim 3200 kilometra dhe do duhet të furnizohen në ajër.
Por edhe nëse arrihen të katër objektivat- fabrikat e uraniumit në Natans, Fordo, Arak dhe Isfahan- nuk do jetë e sigurt se ato do të shkatërrohen. Sipas informacioneve të agjencive sekrete, fabrikat janë të vendosura nën tokë ose të mbuluara me shtresa gjigande betoni. Që të arrijë këtë qëllim, Izraeli do ketë nevojë për së paku 200 bomba ‘Beton Buster’ të modelit GBU-21, të përmirësuara së fundmi në SHBA. Përveç kësaj, SHBA do duhet t’i shesë Izraelit edhe tre avionë furnizues me karburant.
Kjo nuk do jetë një shëtitje për Izraelin, pasi edhe për vetë SHBA-në do ishte një sfidë. Ata kanë avionët luftarakë, avionët furnizues, raketat dhe avionët papa pilotë e megjithatë akoma po punojnë për bombën ‘Massive Ordnance Penetrator’, 14 ton të rëndë. Kjo është bomba më e madhe konvencionale, që sërish nuk dihet nëse do shkatërrojë fabrikat nëntokësore të uraniumit në Iran.


